Biseda dhe ngacmime

Pasi përfundojnë drekën e përgatitur nga Klodi dhe Graciela të cilët gatuan pite, disa nga banorët shtrihen për të fjetur, ndërsa disa të tjerë zhvendosen në dhomën e ndenjjes ku përgjithësisht rrinë pa folur. Të gjithë ankohen se i ka kapur një plogështi dhe askush nuk bën asgjë, përvecse ndonjë bisede të shkurtër. Kryesisht bisedat lidhen me mungesën e cigareve. Kështu, pasi Valoni largohet duke përdorur fjalë jo etike se nuk i japin cigare, banorët në dhomën e ndenjjes fillojnë të komentojnë mbi të. Ata shprehen se fillimisht ai u ishte dukur një djalë i shkathët dhe shumë i mirë, ndërsa tani u ka dalë nga qejfi thuajse të gjithëve. Klodi mendon se edhe fjalët që ai përdor nuk janë të përshtatshme dhe shpesh i duket banal dhe i rëndë në ato që thotë. Bledi e krahason sikur ka dalë nga xhungla, për modelin e flokëve dhe faktin që nuk kujdeset më për veten. Ata diskutojnë se edhe pse ka një moshë më të vogël se ata, ai nuk mund të quhet fëmijë, por Klodi mendon se edukata ekziston edhe tek një fëmijë. Disa prej tyre tregojnë se në moshën e tij kanë marrë rrugët e emigrimit e kanë përballuar jetën të vetëm.
Biseda kalon tek sporti ku Erioni tregon se është tifoz me Partizanin në futboll dhe tregon se vëllai i Oltës ka qënë lojtar i asaj skuadre. Klodi dhe Bledi habiten dhe ky i fundit pyet për më shumë informacion. Klodi, për t’i ngacmuar i thotë se po interesohet për kunatin dhe shprehet se të gjithë janë bërë cifte cifte nëpër krevata. Olta dhe Bledi nuk ia marrin për keq, por vazhdojnë bisedën për futbollin shqiptar. Ndërkohë që bisedojnë, ata pinë sërish kafe.

