Hapet zarfi i kuq
Zarfi i kuq ka sjellë shumë kuriozitet si tek banorët ashtu edhe tek publiku e të gjithë mezi presin që ai të hapet. Arbana njofton të gjithë se ky moment ka ardhur dhe se zarfi i kuq do të hapet për të lexuar komunikimin që përmban. Ajo thotë se ky zarf do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në shtëpi dhe kjo zgjedhje ka një qëllim të caktuar. Arbana u kërkon gjashtë banorëve të nominuar që të shkojnë në magazinë ku atje i pret një njeri i maskuar i cili do t’u vërë atyre një shall për t’u lidhur sytë. Banorët shkojnë atje dhe presin me ankth komunikimin e zarfit, ndërkohë që banorët e tjerë presin në dhomën e ndenjjes. Arbana lexon zarfin në të cilin thuhet se Vëllai i Madh ka vënë në provë vullnetin dhe aftësinë për t’u përshtatur në shtëpinë plot kujtime dhe me vlera historike e sociale të të gjithë banorëve dhe pasi ka vlerësuar qëndrimin e tyre në shtëpi, ka vendosur që banorët e nominuar të transferohen në një tjetër vend, në një shtëpi të re. Banorët heqin mbulesat nga sytë dhe shohin përpara tyre një shtëpi të madhe, luksoze, të bukur, plot ngjyra. Banorët duken shumë të lumtur dhe falenderojnë Vëllain e Madh për këtë ndryshim e për këtë fat. Ariani shprehet se banorëve u eci mjaft mirë ky nominim, ndërsa të tjerët duhet të rrinë në shtëpinë e vjetër.