Valentina në studio
Valentina arrin në studio ku pritet me një duartrokitje të gjatë nga publiku. Ajo duket shumë e emocionuar nga kjo pritje. Arbana e fton të ulet e të diskutojnë për largimin e saj nga shtëpia. Në monitor shfaqet përqindja e votimit, 70% e votuesve kanë votuar pro largimit të Valentinës. Arbana e pyet atë nëse do të kishte qënë Big Brother një program që do të zhvillohej tridhjetë vjet më parë, a do të kishte qënë e njëjta si tani dhe Valentina përgjigjet se pjesërisht po, pasi tani ndikon edhe roli i nënës tek sjellja e saj. Ajo komenton se ndoshta nuk ka dhënë aq sa do të dëshironte sepse mund të ketë ndikuar edhe fakti që ajo ka qënë e sëmurë gjatë javës së parë. Arbana tregon se një pjesë e banorëve kanë thënë se ajo duhej të largohej që t’i jepte mundësi Domenikës që të shfaqej plotësisht, por Valentina thotë se nuk e ka penguar aspak të bijën dhe se këtë marrëdhënie si shoqe, ato e kanë gjithnjë edhe jashtë. Përsa i përket debateve dhe sjelljes së saj, Valentina thotë se nuk është penduar aspak pasi është treguar mjaft tolerante me të gjithë, kjo për shkak të moshës. Ajo thotë se kishte hyrë për të përjetuar emocione e këtë gjë e arriti dhe se kurrë nuk ka menduar për fitore. Për Valentinën shfaqet një klip me momentet më të bukura dhe komentet e banorëve për të. Valentina e sheh e emocionuar klipin.